Fytyra e saj më kapi në befasi. Edhe se kisha dëgjua fjalë të pëshpëriteshin se kish diçka jo të zakonshme ne vdekjet e fundit, rrënqethëse, që të impononin një shqetësim gërryes, nuk u kisha dhënë rëndësi. E di, si jeta dhe fati... dy fytyra nuk i vesh njësoj mister i vdekjes kur i merr, të përbashkët kanë atë qetësi e paqe që u shtrohet mbi tipare... ndërsa... Nuk pretendoja të shihja tisin e trëndadiltë të faqeve të saja, as dhe atë rrudhëzën në ballë që dukej shpesh sikur më vinte në lojë... Ajo aty pothuaj nuk kish asgjë të përbashkët me Xhulin që isha mësuar të shihja unë... dukej e shkrumbuar e hiri ishte mbledhur mbi buzët e saja që ishin shtërnguar aq fort sa i jepnin fytyrës një pamje të inatosur e të zemëruar. Pa dashur lëviza, mbrapsht e po mbrapsht dola nga dera. Befasia ishte aq e madhe sa nuk i dhashë dot lamtumirën e fundit
për të cilën kisha hyrë aty brenda.
Dola dhe u mbështeta pas murit të jashtëm duke thithur shiun me të gjithë forcën e mushkërive. U mundova të mblidhja copëzat që më kishin lidhur me Xhulin, mbrëmjet në teatër, në kinema, në bibliotekë, ndonjë eskursion i shkurtër për të cilin e gjente gjithnjë një karrem për të më tërhequr... Copëza e copëza të pafund bisedash të cilat i mblodha bashkë e për herë të parë më lindi dyshimi..., jo u binda përfundimisht se e kisha njohur shumë pak, shumë më pak se çdo tjetër banor të atij azili. Nuk dija as edhe arësyen përse kish ardhur dhe ish mbyllur aty, ishte e re diçka mbi të gjashtëdhjetat, asnjë shenjë të jashtme që të të jipte të kuptoje se vuante nga ndonjë sëmundje, përveçse asaj dembelosjes antipatike që e pushtonte nganjëherë, e nuk pranonte as të zbriste nga dhoma. Nuk kisha patur asnjëhere guximin ta pyesja as atë dhe as të bijat që vinin nga një qytet tjetër për ta parë dy tri herë në vit. Thellë thellë kisha mbuluar dyshimin se duhej të vuante nga ndonjë sëmundje psikike... Ose... në rastin më të keq fshihte ndonjë sekret, nga ata që i quajnë skelete në dollap, diçka të kryer në një kohë që kish dashur ta mbyllte jashtë atyre mureve... Mbase... ndodh edhe kështu, në një tjetër azil kisha dëgjuar për njërin që kish vrarë gruan çerek shekulli më parë... kisha dëgjuar dhe aq... asgjë nuk kisha kërkuar të vërtetoja, madje nuk doja edhe t'i besoja sepse ai ishte shumë i sjellshem e i njerëzishëm. C'sekret të ketë marrë vallë Xhuli me vehte?! Cfarëdo të ish... nuk e meritonte atë... atë që më kishin parë sytë aty brenda...
Ndjeva të më preknin në sup. Ishte kolegja, mikja ime që më bëri shenjë ta ndiqja. I shkova pas e habitur e habia ime u rrit kur pashë se qëndroi para derës, çelësin e së cilës nuk e kishim marrë kurrë vesh se ku e kishin fshehur. E pashë që zgjati dorën mbi dorezë.
- “Prit! C'bën?”,- i thashë duke ja tërhequr. Nuk e di përse ajo derë nuk më ndillte asgjë të mirë atë moment.
- “Shëëët, ule zërin.Kur zbrita natën për të shpënë rrobat në lavanderi e pashë të hapur. Në kthim ishte e mbyllur, por pata aq frikë sa nuk zbrita më poshtë.”
- “Mendon se kjo ka lidhje me...”, - bëra shenjë me kokë nga ajo anë ku ndodhej Xhuli.
- “Jo, jo, aspak. Thjesht kisha frikë se mos kish hyrë njeri prej saj.”
- “Përse nuk e thërrite policinë.”
- “Nga frika se mos isha gabuar e më kishin bërë sytë. Prandaj po ta them vetëm ty, mos ja thuaj kujt se më vënë në lojë.”
- “Të kanë bërë sytë, ja do ta shohësh”,- i fola thatë. Në fakt të gjitha sigurohen të mbyllin mirë dyert natën, kanë frike se mos hyn ndonje i huaj klandestin e i pastrehë... eh, kjo frikë nga të huajt...më acaron gjithnjë siç më acaroi atë çast, ndaj zgjata dorën, kapa dorezën e derës duke shkarkuar tërë acarimin tim në të me bindjen se do ta gjeja të mbyllur.
Por brava kërciti dhe dera u hap mbi një palë shkallë të gurta e të errëta që zbrisnin poshtë. I zbritëm e në fund të tyre pamë se hapej një tunel që dukej pa fund në terrin e tij. Mbajtëm frymën. Nga larg oshëtima e dallgëve që thërrmoheshin mbi shkëmbinj dukej sikur vinte nga fundi i dheut... Pra tuneli kishte një dalje e kjo spjegonte...
….çfarë !?...
... Se shoqja ime kish të drejtë, se dikush kish hyrë prej andej ... e pastaj...
… e pastaj... nuk mund të kish lidhje me atë trup pa jetë të asaj gruaje të mirë...
U ktheva nga shoqja ime për t'i thënë ato që po bluaja në tru, por ndërkohë ajo kish hapur celularin dhe e dëgjova që mori në telefon policinë...
Pas pak mbërritën policë me uniformë e më pas edhe disa civilë. Ajo derë i përpinte e pastaj i villte me sy të mbushur me habi e neveri. Neve nuk na linim të afroheshim, e nga ata nuk morëm vesh gjë. Por një polic, qëlloi të ishte mik i një koleges sonë e në konfidencë... konfidencë i thënshin se ajo mezi priti të na i thosh... i tregoi se ai tunel i nëndheshëm pas një copet ndahej në dy të tjerë. Njëri dilte diku në breg të detit, tjetri ngjitej nëpër kodrën e qytetit deri në majë të saj e përfundonte në bodrumet e një manastiri tjetër. Sipas tyre në atë tunel nuk kish shkelur këmbë njeriu kushedi prej sa kohësh, kështu që nuk ishte e mundur që dikush të kish hyrë në azil atë natë. Policia iku, civilët mbetën, erdhi prifti i katedrales së qytetit e diç bisedoi me ta me zë të ulët. Ec e jaket vazhduan tërë ditën e natën. Kolegja e turnit të natës, tha se kish parë të nxirrnin prej andej disa arka të vogla por e kishin porositur të mos hapte gojë. Porosi e bukur besa, të gjithave na hante dheu ndënë këmbë. Kaq na u desh, që hamendësimet tona t'i kthenin ato arka në qivure me eshtra foshnjesh të porsalindura si ato që kishim dëgjuar të pëshpëriteshin se ishin gjetur kur ishte ristrukturuar ndërtesa. Megjithatë ishin vetëm hamendësime e aq, e siç ndodh shpesh, as mrekullia më e madhe nuk zgjat më shumë se tri ditë. Pas disa javësh nuk e zinim më në gojë e pas disa muajsh u duk sikur u harrua fare ajo histori. Asnjë vdekje tjetër, asgjë që të shqetësonte rutinën e punës së përditëshme në azil, që shumëpak e kupton se me gjithë lodhjen fizike, mendore e shpirtërore, aty shpesh mund të lesh një copë zemër... e ta mbushësh boshllëkun me një buzëqeshje vërtet të trishtë, por është gjithmonë buzeqeshje... frymë shpirti që del nga buzët...
Dhe atëherë kur më pak e prisnim, u hap me një gjallëri të tillë sikur kurrë nuk ish pushuar së foluri për të. Një kolegja jonë kish shkuar për të parë një koncert në një qytet tjetër. Kur u kthye të nesërmen, fliste aq e emocionuar sa fjalët nuk gjenin rradhë i ngatërroheshin duke e bërë lëmsh të gjithën. Ju desh ta rinisë së dyti e ajo që kuptuam ishte se në atë koncert kish njohur rastësisht një burrë i cili kur e kish marrë vesh se ku banonte e ku punonte, i kish treguar se diku kish lexuar një histori të vjetër të këtij manastiri, e cila brenda saj përmbante një skandal që kish bërë bujë të madhe atë kohë të largët por që ishte mbyllur shpejt. Një murgeshë kish arritur të arratisej prej tij e kish treguar se aty kishin qenë të përdhunuara nga murgj e priftërinj e disa kishin mbetur shtatzëna . Kish kërkuar ta ndihmonin të merrte fëmijën e saj që nuk kish mundur t'a nxirrte, por në vend që t'a ndihmonin...
… E kishin akuzuar se ishte e pushtuar nga demonë dhe ja kishin dorëzuar inkuizicionit...Më pas as edhe një rresht i shkruar për të, ai nuk e kish idenë se ç'fund kish bërë ajo murgeshë e ngratë megjithese mund te imagjinohej lehte ç'fund e kish pritur... turra e druve...
Ai i kish thënë koleges dhe emrin e autorit që kish shkruar atë libër, i cili ishte vendas nga qyteti në fjalë e tani nuk ndodhej më në këtë jetë...
….....
Kërkova emrin e autorit në internet. E gjeta ashtu si dhe titujt e librave që kish shkruar. Por vetëm titujt, as edhe një rresht nga shkrimet e tij. Shkrimtari është i njohur në këtë qytet, është edhe një rrugë që mban emrin e tij. Mbase librat mund të gjenden në biblioteken e qytetit, mbase... ndonjë ditë...
...Ndonjë ditë... sa punë të lëna me pretekstin ... ndonjë ditë... E theksoj pretekstin, shkaku ishte tjetër, diçka më shumë se dyshimi, diçka më shumë se zhgënjimi që më lodhi shpejt ngado që e rrotullova...
... Edhe sikur në rastin më të mirë, autori ta ketë pasur vetëm një trillim artistik, eshtrat e gjetura, qoftë edhe të një vogëlushi në themelet e manastirit të vjetër më thonë se … ajo histori e ka pasur një pikënisje të vërtetë. Ajo që më revolton është fakti se këto gjëra kanë ndodhur në një vend që pretendohej për i shenjtë, si duhet të jenë të gjitha vendet ku i lutesh Zotit, e nga njerëz që ishin në shërbim të tij, të cilët kanë abuzuar me gra të pafajëshme... murgesha që të shtyra nga devocioni për Zotin apo ndonjë tragjedi e jetës së tyre kishin mbyllur jetën në muret e atij manastiri... për të mos dalë më... Ose... alternativa turra e druve... padashur para syve më kaloi një fytyrë e nxirë me hirin që i mblidhej mbi buzë...
Përse vallë kisha ja hoqi të drejtën gruas për t'i shërbyer e lutur Zotit në mënyrë të barabartë me burrin?
Përse?!
Përse!?
E ngulmoj në këtë përsenë... sepse ishte ajo kthesë fatale, e turpshme në dëm të gruas... sepse... ajo i bëri njerëzit të mendonin se nëse gruaja nuk ish e denjë e nuk pranohej t'i shërbente Zotit... ajo mund t'i shërbente djallit... e vetëm djallit...
- “Nuk kanë turp!” - kish folur si me vete nje kolege -,” e mua deshën të më pushonin nga puna kur u divorcova!”
Kanë kaluar vite...
Ato periudha nuk janë rikthyer më... e shpesh më duket se është kujtesa ime që më mashtron... ai korridor me tavan me harqe të ndërthuruara që thyen madhështinë e dritës duke i dhënë shkëlqim të errët e tepër joshës skutave të tij... e...
... Kur puna ma sjell të kaloj korridorit të katit të parë në fund të të cilit ndodhet kisha e vogël, mbaj këmbët një hop. I hedh një shikim të shpejtë kishëzës së zbrazët e të errët e pastaj përqëndrohem tek Jesu Krishti i gozhduar në kryqin e drunjtë. Më të shumtën e rasteve, nuk më thotë gjë, duket një ikonë e zakonshme, nuk ka asgjë më shumë e as më pak se ato që shoh në kishat e tjera. Por nganjëherë...
... nganjëherë perceptoj ndjesinë që më japin pikat e shiut kur trokasin në xham... misterin që troket... e atëherë mendja ime e varfër rropatet të gjejë një shteg, të përshkojë hijedritën e qiririt të ndezur në një rit të lashtë... e më duket se edhe vetë ajo figurë e vendosur aty e kupton se e kanë bërë të huaj për atë vend... Nuk e di kush e ka bërë atë kryq, ç'duar e kanë punuar, por mënyra se si ka anashpërkulur kokën, ata sy që ja ndriçon drita e qiririt që rri ndezur ditë e natë, duket sikur luten e kërkojnë falje... jo nga lart... por nga ne që e shikojmë këtu poshtë...Duket sikur thotë: Falmëni... nuk e kam zgjedhur unë të jem personazhi më i dashur për gjysmën e njerëzimit që të abuzohet në emër të dashurisë për mua... Jam dhe unë bir i një gruaje... i një nëne që më ka lindur, më ka rritur, më ka dashur e më ka mësuar njerëzoren...
E ato çaste të rralla, shpejtoj, përpara se shtegu të mbyllet e të mbetem me atë shukun e hutimit në pëllëmbë që tallet me mua e më thotë se ish thjesht lojë e fantazisë sime...
... shpejtoj e...
... përkul gjurin e bëj kryqin... ani se nuk e ndjej vehten plotësisht katolike, siç nuk e ndjej as plotësisht mysylmane apo ortodokse... ani se besoj fare pak nga të gjitha... aq pak sa të mos më mbysë ndjesinë e ekzistencës së diçkaje të mrekullueshme të cilën mendja ime nuk e kap dot, që fillon nga grimca pafundësisht më e vogël deri tek ajo pafundësisht më e madhe... e që unë jam pjesë e saj...
Dy pika shiu ranë mbi xham...
Shiu vallë për kë ka mall...
... për mrekullinë e flokut të dëborës që bjen pafajësisht, pa zhurmë e mbulon e mban ngrohtë farën e mbjellë në prehrin e tokës...
... për burimin, për lumin për detin... apo...
...për gëzimin e resë së bardhë që loz me erën duke ju lumturuar diellit... në qiellin pa fund...
Ka një rit të mistershëm shiu kur bjen e të troket mbi xham...
Po mua, ç'shtigje malli do të më tregojë vallë???

0 commenti:
Posta un commento